Fri. Sep 20th, 2019

Redi Hasa, violinçelisti i shpirtit të Mesdheut vjen në teatrin Metropol!

Redi Hasa, violinçelisti i shpirtit të Mesdheut, do te performoje diten e shtunë, ora 20:00 në Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana  për të hapur siparin e #MetroSounds.

Rrënjët muzikore që lidhin dy brigjet e Mesdheut, ja kanë dalë që të tërheqin tinguj prej traditës së madhe të Ballkanit dhe Italisë së Jugut, për ti sjellë në forma më bashkëkohore në kohët e sotme.
Kjo Trio, e përbërë nga Redi Hasa, Rachele Andrioli dhe Rocco Nigro, sjell në jetë nëpërmjet një ndjeshmërie moderne, meloditë antike, këngë dhe fjalë që vijnë nga e kaluara dhe që kalojnë kufijtë e tyre, por pa lënë pas dore kontributin e tyre personal dhe origjinal.

“Që të luash në violonçel, duhet ta përqafosh, të ndiesh vibracionin kur e mbështet në gjoks, t’ia prekësh telat me dashuri, ndërsa instrumenti të përgjigjet me tinguj”, është shprehur pak kohë më parë për mediat Redi Hasa, një nga violinçelistët më të mirë shqiptar, i cili prej më shumë se njëzet vitesh jeton në Itali. Është larguar nga Shqipëria në vitin 1998 për të ndjekur studimet në Leçe të Italisë, por rrugëtimin me violonçelin e nisi në moshën 6-vjeçare, në shkollën e muzikës “Kongresi i Përmetit”, në Tiranë. Pas formimit tetëvjeçar klasik në konservator, u gjend përballë muzikës tradicionale, tingujve mesdhetarë e ballkanas. Tradita Shqiptare, tingujt e Ballkanit dhe ngjyrat e Mesdheut janë pjesë e pandashme e muzikës që luan dhe krijon Redi Hasa. Ka bashkëpunime të ndryshme me këngëtaren italiane Maria Marzotta në violonçel dhe zë, prej shumë kohësh bashkëpunon me orkestrën dhe kompozitorin më famë botërore Ludovico Einaudi. Bashkepunimet e tij janë të shumta si me Officina Zoè, Xanti Yaca, Orkestra Salento, Manigold, Adria, Band Adriatica, Admir Shkurtaj Trio, “L’Orchestra Popolare Italiana”, duke bashkëpunuar me artistë si Mbreti Naat Veliov, Orkestra e Koçanëve, Ambrogio Sparagna, Claudio Prima, Emanuele Coluccia, Eva Quartet, Enzo Pagliara dhe shumë të tjerë.

Në Teatrin Metropol Redi Hasa do të jetë i shoqëruar nga vokalistja e mirënjohur Italiane e skenave ndërkombëtare, Rachele Andrioli, një zë me timbër të thellë e të pagabueshëm, me figurë rinore e prezencë skenike, e cila shëtit vokalin e saj duke filluar nga muzika tradicionale, në atë karakteristike të Salentos e deri në jazz-in francez. Udhëtimi I saj muzikor si performuese e producente ka prekur disa prej skenave të festivaleve më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në Trion debutuese të Hasës në MetroSound do të performojë në Firzamonikë edhe Rocco Nigro i cili duke u nisur nga tradita e Jugut të Italisë ka eksploruar muzikën e territoreve tango e muzikës Ballkanike, klezmer dhe sefardikë, duke mbërritur në kërkimin e tij të vazhdueshëm, në muzikën bashkëkohore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *